Rritja e buxhetit për Shëndetësi, funksionalizimi i sistemeve të sigurimeve shëndetësore, janë disa nga prioritetet e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi. Ai ka thënë se janë në rrugë të drejtë për transformimin e shëndetësisë kosovare.
Duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, për aktivitetet e menaxhimit në sektorin e shëndetësisë dhe aktualitetet e zhvillimeve të fundit në shëndetësinë e vendit, Latifi ka thënë se prioritet po i japin infrastrukturës spitalore dhe procesit të akreditimit të spitaleve.
“Ata që punojnë në kujdesin parësor kjo ministri do t’i kushtoj kujdesin më të madh të mundshëm. 6 muaj kemi qenë të ngarkuar më shumë punë. Po punojnë në shumë rrugë në çështjen e legjislacionit që i kemi 6 ligje. Ne nuk kemi mundësi të krijojmë qendrën e traumës sepse është shërbimi i emergjencës. Po merremi me legjislacionin dhe mirëqenien e mjekëve. Neve na duhet të fillojmë procesin e akreditimit të spitaleve. Po punojmë edhe ndërtimin e infrastrukturës. Ne kemi obligim me u marr me shëndetësi dhe se kjo qeveri e ka bërë prioritet”, tha ai.
Latifi ka thënë se teksa ka vizituar një Klinikë në QKUK, ka vërejtur mungesë të stafit teknik.
“Rritja e buxhetit të shëndetësisë, funksionalizimi i sistemeve të sigurimeve shëndetësore, detyrimi me ligj për përdorimin e protokolleve në nivel kombëtar, janë disa nga prioritetet tona. Sot kam qenë në Onkologji dhe çdo ditë vizitojë klinika, dhe kam vërejtur se kësaj Klinike i mungon stafi teknik”, ka thënë Latifi. /EO