Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka nisur vizitat në fshatrat e komunave që janë përfshirë nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shiut që kanë nisur nga dje.
“Reshjet e shumta të shiut shkaktuan dëme si pasojë e vërshimeve në disa Komuna të Kosovës, andaj në koordinim me Kryeministrin z. Kurti dhe ministritë respektive, fillova të vizitoj Komunat për të parë gjendjen dhe për të ju ofruar ndihmën e nevojshme”.
Krasniqi ka bërë të ditur se ka vizituar fshatin Bellacërkë, Ratkoc dhe Radoste të Rahovecit teksa më pas do të vizitojë edhe komunën e Gjakovës që është prekur nga vërshimet.
“Me Kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në fshatin Bellacërkë, Ratkoc dhe Radoste përcjellëm nga afër gjendjen nga vërshimet në këto lokalitete. Nga Rahoveci, do të vazhdojmë për në Gjakovë, ku me Kryetarin, Ardian Gjini do të vizitojmë zonat e prekura nga vërshimet dhe dëmet e shkaktuara”, ka shkruar Krasniqi.