Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se rruga Deçan-Plavë do të realizohet.
Aliu në seancën e Kuvendit të Kosovës është shprehur se kjo rrugë është e rëndësisë së interesit kombëtar.
“Rruga Prizren-Tetovë përveç që krijon mundësi të zhvillimit ekonomik, për zonën që është në të dy anët e Parkut Nacional, ku turizmi malor mund ta bënte lidhjen, e ka edhe një aspekt që e lidh Rrugën e Kombit që e lidh Prishtinën me Tiranën, po ashtu e lidh me Korridorin e 8-të”, tha Aliu.
Ai ka treguar, se do të vazhdojë edhe ndërtimi i rrugës Prishtinë-Pejë.
“Rruga Prishtinë-Pejë vazhdon të jetë prioritet i Qeverisë. Nuk e kemi ndalur projektin. Ne kemi ndalur shpronësimet, i cili rikthehet në rivlerësim. Telashet që janë lënë nga e kaluara janë të pabesueshme”, ka treguar ai.
I pari i infrastrukturës ka sqaruar se është bërë të qartë se ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë do të ndodh.
“Në Beograd e kam bërë të qartë se do të ndërtohet hekurudha Durrës-Prishtinë dhe nuk ka lidhje me Serbinë. Për sa i përket rrugës Deçan-Plavë, pavarësisht që nuk ka pasur marrëveshje, ne do t’i bëjmë, sepse janë të rëndësishme për interesin nacional”, ka përfunduar ai.