Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka folur sërish pas vendimit të Qeverisë Kurti , për uljen e shtesave të pensionistëve.
Murati ka thënë se shtesat kanë qenë vetëm për tre muaj dhe se tash me vendimin e ri do të vazhdojnë gjatë tërë vitit.
“Sa u përket shtesave për pensionet bazike, qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj (janar, shkurt dhe mars).
Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi.
Me pakon e re, kemi shtuar 8.5 milion euro, aty ku qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa. Pra për muajt prill e tutje, nuk ka pasur shtesa të planifikuara.”
Tutje, Murati ka thënë se pa këtë vendim, pensionistët do të merrnin nga 75 ose 90 euro, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratuar në Kuvend.
“Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro.
Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale”, ka shkruar Murati