Met Millaku e ka lënë prapa lëndimin që e mbajti për një kohë jashtë fushave të blerta dhe tashmë është bashkuar me skuadrën e Feronikelit në fazën përgatitore për stinorin pranveror të kampionatit.
Millaku, i cili u transferua edicionin e kaluar nga Dukagjini i Klinës te Feronikeli ka qenë njëri ndër lojtarët kryesorë të skuadrës duke u paraqitur në 14 përballje në edicionin kur ‘industrialistët’ u shpallën kampion vendi për herë të tretë në histori.
Megjithatë, Millaku është ofertuar nga disa skuadra të cilat po këmbëngulin për shëbimet e tij.
22 vjeçari ka folur për Gazetën “Sheshi” në lidhje me lëndimin e kaluar dhe të ardhmen e tij.
“E kam kaluar lëndimin tërësisht dhe tashmë jam i gatshëm. Është e vërtetë që disa skuadra kanë shprehur interesim dhe më kanë kontaktuar, por ende mbetet për tu parë se cila do të jetë e ardhmja ime, pasi që kam ende kontratë me Feronikelin”, deklaroi Millaku.
Mesfushori i qendrës vlerësohet të jetë si njëri ndër talentët më premtues në vend, ndërkohë që ka një të ardhme të ndritur para vetës.
Ai më parë ka luajtur gjithashtu për Dukagjinin e Klinës dhe Istogun.