Mesjave është e rezervuar për ndeshjet e Kupës së Kosovës në futboll,
Të mërkurën na pret një ndeshje mjaftë interesante ku do të përballen mes vete skuadra e Dukagjinit nga Klina dhe Drenica.
Kjo ndeshje do të luhet në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës.
Gazeta “Sheshi” e ka kontaktuar sulmuesin e rrezikshëm të Dukagjinit, Mark Milicaj, i cili ka folur për përballjen e nesërme.
Sipas Milicajt, ndeshje kundër “kuqezinjve” pritet të jetë e fortë për arsye se Drenica ka një skuadër të mirë.
“Presim që të jetë një ndeshje mjaftë e fortë edhe për kundër rezultateve jo të mira të skuadrës së Drenicës, mendoj që kanë një skuadër të mirë dhe normal janë ekip i Superligës dhe do të jetë një motiv shtesë për skuadrën tonë për ta dhënë maksimumin që të kualifikohemi”, tha Milicaj.
Futbollisti i mirënjohur kosovar gjithashtu ka folur edhe për synimin kryesor që kanë me Dukagjinin.
“Synimi i Dukagjinit padyshim se është të inkuadrohemi në Superligë, por edhe për këtë ndeshje është kualifikimi tutje dhe të gjithë futbollistët do ta japin maksimumin që t’ia arrijmë këtij qëllimi”, shtoi më tej Milicaj.
Për fundi futbollisti i shumë skuadrave kosovare ka një premtim për tifozët që e përkrahin ekipin nga Klina.
“Pa dyshim, tifozëve gjithmonë ju premtojmë angazhim të madh që të kualifikohemi në gjysmëfinale dhe të vazhdojmë rrugëtimin së bashku drejt Superligës së Kosovës”, përfundoi Milicaj.
Dukagjini – Drenica zhvillohet nesër (e mërkurë) në stadiumin “18 Qershori” në Klinë me fillim nga ora 13:00.