Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se qeveria e Ramës nuk e ndihmon Kosovën.
Sipas Metës, vetëm një Shqipëri me kredenciale demokratike dhe që plotëson kushtet e çeljes së negociatave i ndihmon Kosovës.
“Diskreditimi ndërkombëtar i Shqipërisë është shërbim për defaktorizimin e shtetit të Kosovës dhe faktorit shqiptar në rajon, i cili ka qenë kudo faktor stabiliteti e europianizimi.
Vetëm një Shqipëri me kredenciale demokratike dhe që plotëson kushtet e çeljes së negociatave e ndihmon edhe shtetin e Kosovës dhe faktorin shqiptar në rajon”, shkroi Meta.
Së fundmi, kryeministri Rama dhe presidenti Meta janë përplasur në distancë rreth disa çështjeve, ku më e fundit lidhet me rastet që Shqipëria ka humbur ose jo në Arbitrazh.