Lionel Messi do të përballet me Kylian Mbappen në finalen e Kupës së Botës të dielën.
Dyshja e Paris Saint-Germainit ka qenë vendimtare për përfaqësueset e tyre dhe golat të cilat i kanë realizuar, kanë bërë që Argjentina dhe Franca të shkojnë në finale të Kupës së Botës.
Sa i përket golave, Messi dhe Mbappe kanë shënuar nga pesë gola në gjashtë paraqitje të Botërorit
Njëri prej tyre mund ta fitojë “Këpucën e Artë”.
Messi ka zhvilluar më shumë minuta pasi Argjentina ka luajtur në vazhdime dhe në penallti në çerekfinale kundër Holandës, kështu që qëndron pak më keq sa i përket mesatares së golave të shënuar për minuta të luajtur.
Tri prej pesë golave të shënuar në këtë Botëror, Messi i ka realizuar nga pika e bardhë.
Ndryshe prej tij, Mbappe i ka realizuar golat nga loja e hapur.
Mbappe realizoi tri herë në fazën e grupeve, një kundër Australisë dhe dy kundër Danimarkës, para se të shënonte dy të tjerë ndaj Polonisë në një të tetën e finales.
Megjithatë, sulmuesi i PSG-së ka dështuar të realizojë gol në çerekfinale kundër Anglisë, apo në gjysmëfinale ndaj Marokut.
Messi është më i mirë në asistime sesa Mbappe në këtë Kupë të Botës.
Messi ka tri asistime për Argjentinën, në ndeshjet kundër Meksikës, Holandës dhe Kroacisë.
Vrapimi i tij i jashtëzakonshëm individual, bëri që Argjentina ta shënonte golin e tretë kundër Kroacisë në gjysmëfinale.
Ai e kaloi Joshko Gvardiolin, që është vlerësuar shumë nga njohësit e futbollit.
Mbappe e ka një asistim më pak se argjentinasi.
Sulmuesi francez asistoi për Olivier Giroudin në ndeshjen ndaj Australisë, dhe më pas sërish, kundër Polonisë.
Duhet përmendur se Messi nuk është vetëm organizator i lojës së Argjentinës.
Ai po ashtu është edhe ekzekutues i goditjeve të dënimit.
Ky mund të jetë avantazh për të në krahasim me Mbappen.
Nëse shihen statistikat totale, Messi ka pasur kampanjë më të mirë se Mbappe.
Ka pasur edhe më shumë gjuajtje në drejtim të portës, ka krijuar më shumë shanse për shënim, dhe ka realizuar më shumë pasime të sakta në pjesën e kundërshtarit.
Messi ka shënuar në të gjitha ndeshjet e fazës nokaut, por jo edhe Mbappe. Megjithatë, francezi është treguar përsëri shumë i rrezikshëm, pavarësisht se nuk ka realizuar gol. Koha.net