Kosova e meriton dhe duhet ta ketë një stadium nacional modern”. Ky ishte mesazhi kryesor që dha gjatë vizitës në Kosovë, presidenti i FIFA-së, Gianni Infantino, që po konsiderohet thirrje e qartë për institucionet shtetërore që të merren hapa konkret për ndërtimin e një stadiumi të ri.
Të tillë e konsideron edhe vetë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, i cili thotë për KosovaPress se Kosova ka nevojë urgjente për stadium dhe se me këtë çështje duhet të merret Qeveria e Kosovës.
Kosova ka nevojë për infrastrukturë, jo vetëm për një stadium nacional siç u diskutua në atë takim dhe në të gjitha takimet mund të them… Pra ajo thirrje për të pasur një stadium nacional është jashtëzakonisht e mirë dhe besoj që edhe ai do të jetë sepse kjo është çështje e ministrisë, qeverisë realisht, sepse federata askund në botë nuk ndërton stadiume nacionale, por ndërton qeveria dhe ne i ndihmojmë në atë pjesën kozmetike, por gjithsesi stadiumi nacional është një imazh për shtetin, një imazh për popullin për të gjithë”, tha Ademi.
Nevojën për stadium të ri e potencon edhe trajneri Bylbyl Sokoli, por ai e sheh si alternativë edhe zgjerimin dhe modernizimin e stadiumit “Fadil Vokrri”.
“Kur jemi tek infrastruktura ajo duhet të jetë me standardet, do të thotë me numrin e popullsisë, me nivelin e futbollit tonë, me numrin e skuadrave tona e kështu me radhë. A duhet një stadium i ri?….Unë personalisht mendoj para se gjithash që stadiumi i kryeqytetit ‘Fadil Vokrri’ duhet të përshtatet dhe të ketë nivelin më të lartë për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe të caktohet kush merr përsipër mirëmbajtjen… A na nevojitet një stadium i ri për kombëtare, a kemi ne forcë dhe buxhet që t’i mirëmbajmë këto objekte të nivelit të lartë. Unë mendoj që stadiumi i kryeqytetit ‘Fadil Vokrri’ duhet të rregullohet me një projekt të ri, jo të shtohet numri i shikuesve, por të shtohet cilësia e stadiumit në përgjithësi nga tapeti deri te pjesa e gardërobave dhe ai të jetë stadium i nivelit të lartë me aq shikues sa ka, s’ka nevojë më shumë sepse i plotëson kriteret në bazë të numrit të popullsisë që ka Kosova”, tha Sokoli
Mos komunikimi i duhur ndërmjet FFK-së me Ministrinë e Sportit dhe me Qeverinë e Kosovës është parë si njëra nga arsyet pse edhe më tutje nuk ka hapa konkret në këtë drejtim, por Ademi thotë se raportet mes këtyre institucioneve janë të mira dhe se po punojnë bashkë në realizimin e projekteve të ndryshme për futbollin.
“Kemi komunikim zyrtar sigurisht, kemi pasur dhe kemi të gjithë, kemi takime, por nuk është që çdo takim e bëjmë medial sepse jemi të shtëpisë. Ndoshta nuk ka nevojë njëherë ta bëjmë mediale, por konsulta kemi gjithmonë, gjithsesi ne konsultohemi, institucionet i respektojmë si federatë, por gjithsesi jemi të pavarur në këtë drejtim. Çdo gjë është në rregull me qeverinë, me ministrinë, ministria ka bërë edhe projektet e saja, pa çka që shumë nëpër media thuhet se nuk po punohet, është ndalur, ka qëllime. Nuk ka asnjë qëllim, por ministri do rregullsi dhe po përgatitë dokumentet e rregullta për çdo projekt që e ka për futbollin por edhe në përgjithësi për sportin”, tha Ademi.
Trajneri Gani Sejdiu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, ka deklaruar se nëse FIFA shpreh gatishmëri për ta ndihmuar këtë projekt, atëherë instancat shtetërore duhet që urgjentisht të marrin masa për filluar planin konkret për ndërtimin e një stadiumi nacional.
“Është e vërtetë që Kosova e meriton një stadium nacional sepse është një komb që e do shumë futbollin dhe ka kaluar nëpër shumë histori të vështira deri këtu dhe se këtyre futbolldashësve më në fund duhet krijuar një ambient i tillë me të gjitha kushtet optimale në mënyrë që të shijohen në maksimum ndeshjet e kombëtares. Por nëse ndihma e FIFA-së është e tillë që mos të dëmtohet shumë buxheti ynë duhet sa më shpejt të intervenohet nga instancat përgjegjëse qe sa më shpejtë të realizohet ky projekt.”, tha Sejdiu.
Ndryshe, së fundmi KosovaPress ka mësuar se FFK tashmë ka aplikuar për ta fituar në formë fondacioni nga FIFA njërin nga stadiumet e botërorit “Katari 2022” i cili do të demolohet menjëherë pas përfundimit të këtij kampionati dhe se ky aplikim ka marrë mbështetjen e presidentit të FIFA-së, Gianni Infantino.