Mesazh nga Berlini, “Serbia herët apo vonë duhet ta njohë Kosovën”

Deputeti i Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviq, nga radhët e SPD-së, ka qenë kritik në raport me zhvillimet e fundit në Samitin e Be-së, në raport me Ballkanin Perëndimor, raporton DW.  

Ahmetoviq në mënyrë të veçantë ka kërkuar statusin e vendit kandidat për Bosnjën, vizat për Kosovën dhe fillimin e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjithashtu edhe përshpejtim të procesit të integrimit për Malin e Zi.

Kur bëhet fjalë për kushtin që Serbia të njohë Kosovën për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së, qëndrimi i Ahmetoviqit është gjithashtu i qartë.

“Kancelari Solz tha, dhe unë thjesht do ta citoj atë: “Nëse Serbia dëshiron të hyjë në BE, duhet të punojë në përmbushjen e kritereve nga Kopenhagen, duhet t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë dhe, gjëja e tretë, duhet të ketë normalizim. të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kështu që herët a vonë duhet ta njohë Kosovën”, ka thënë Ahmetoviq.

Ai gjithashtu ka thënë se s’mund të jesh vend anëtar i BE-së derisa s’ke qëndrim të qartë nëse je me demokracinë apo me Rusinë.

“Nuk mund të jesh anëtar i BE-së nëse në këtë moment nuk e ke të qartë nëse je në anën e demokracisë, domethënë BE-së, apo je në anën e autokracisë, domethënë Rusisë. Dhe nëse Serbia nuk dëshiron të bëjë një vendim, do të jetë e vështirë për të ndërmarrë hapat e ardhshëm. Unë e them hapur se nëse Serbia thotë se do të jetë në anën e BE-së, se do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, atëherë ne jemi këtu dhe mund të vazhdojmë përpara”, ka shtuar Ahmetoviq.
/Gazetaexpress/