Profesorëve universitarë që janë duke ligjëruar në një universitet publik, më nuk do të iu lejohet që të ligjërojnë në universitete të tjera publike apo private gjatë ditëve të javës.
Këtë vendim e ka bërë të ditur rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema përmes një njoftimi, i cili ka thënë së stafi akademik mund të angazhohet në mësimdhënie jashtë UP-së vetëm të shtunave dhe në raste të tjera, nuk lejohet asnjë angazhim i jashtëm.
“Ju shkruaj lidhur me deklarimet e stafit të rregullt akademik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për angazhim jashtë këtij institucioni. Me këtë rast, ju informoj se bazuar në rregullativat në fuqi si dhe bazuar në marrëveshjet e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe universiteteve të tjera publike në Kosovë, stafi akademik i UP-së mund të angazhohet në mësimdhënie vetëm ditëve të shtune (fundjavave). Në raste të tjera, nuk lejohet asnjë angazhim i jashtëm”, ka njoftuar Dekani i UP-së.
Dema ka kërkuar nga dekanët e fakulteteve përkatëse që të raportojnë në rektorat për çdo mosrespektim të rregullativave.
“Luten dekanët e njësive akademike përkatëse që të përcjellin me saktësi mbarëvajtjen e mësimit për gjithë stafin akademik dhe në rast identifikimi të mosrespektimit të rregullativave të përmendura, të informojnë me shkrim në Rektorat”, ka thënë Marjan Dema.
Ndërsa nuk kanë qenë të rralla rastet kur profesorët kanë munguar në ligjërata dhe kanë neglizhuar studentët e universiteteve publike pasi që gjatë të njëjtës kohë kanë qenë të angazhuar në universitete private