Dukagjini është skuadra e fundit në renditjen tabelare në Superligën e Kosovës në futboll. Por, futbollistët e kësaj skuadre do të luftojnë deri në ndeshjen e fundit dhe do të tentojnë të grumbullojnë sa më shumë pikë.
Kështu ka deklaruar kapiteni i kësaj skuadre Altin Merlaku, i cili në një prononcim për Gazetën “Sheshi” ka deklaruar se në ndeshjen ndaj Llapit do të mundohen të shfaqin më të mirën e mundshme për t’u kthyer me rezultat pozitiv.
“Do t’i qasemi lojës me seriozitetin më të madh dhe do të synojmë që të marrim një rezultat pozitiv. Ne e dijmë që Llapi ka një skuadër cilësore, besoj që do të jetë një ndeshje e fortë”, deklaroi fillimisht Merlaku.
Objektivat e skuadrës nga Klina tashmë janë të qarta. Megjithëse me pak gjasa për të mbijetuar, “Hithat” do të mundohen të ‘djegin’ sa më shumë skuadra.
“Objektivat e skuadrës janë për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje, derisa na lejon matematika për të shpresuar në mbijetesë. Jemi shumë prapa dhe për këtë jemi të vetëdishëm, por ne do të luajmë për Dukagjin dhe rezultate sa më pozitive”, shtoi më pas sulmuesi nga Klina.
Kontrata e Merlakut me Dukagjin përfundon gjithashtu në fundin e këtij edicioni, ndërkohë që 27 vjeçari deklaron se ka kohë ende për të sqaruar të ardhmen e tij.
“Objektivat e mija personale janë që të përfundoj kampionatin pa lëndime dhe në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Shpresojë të kem paraqitje të mira, ndërkohë për të ardhmen do të shohim”, përfundoi ish-sulmuesi i shumë skuadrave në vend.
Kujtojmë që Dukagjini do të përballet me Llapin të premten me fillim nga ora 16:00 në sfidën e parë pas pandemisë.