Pas kthimit nga Kanadaja, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj priti në takim kongresistin amerikan Ritchie Torres.
Mehaj i shprehu Torresit edhe këtë radhë falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për gjithë mbështetjen e dhënë nga ai në Kongresin Amerikan, ShBA-së si vend aleat jetik dhe popullin amerikan si komb mik.
“Sikur edhe në takimet e tij të mëhershme me Kongresisti Torres, edhe këtë radhë, Ministri Mehaj e njoftoi me situatën aktuale të sigurisë në vend pas krizës në Ukrainë dhe ndikimit destabilizues rus përmes qasjes destruktive të Serbisë kundër Kosovës dhe në përgjithësi kundër paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë”.
“Gjithashtu, Ministri Mehaj e njoftoi Kongresistin Torres edhe me të arriturat tona të përgjithshme, proceset aktuale zhvillimore si dhe synimet tona për të ardhmen, duke i rikujtuar kërkesën tonë për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë që do të shërbente si garancë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm të rajonit”.
“Në fund, ai i ritheksoi se vizioni ynë shtetëror është anëtarësimi në NATO, në aleancë të përhershme me SHBA-në, gjithmonë në mbrojtje të vlerave të lirisë, paqes dhe demokracisë”.