Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka kritikuar ashpër opozitën për mungesën e komunikimit me qytetarët gjatë mandatit të saj katërvjeçar, duke theksuar se lidhja e përhershme me popullin është themeli i besimit dhe legjitimitetit në demokraci.
“Opozita ka katër vjet që nuk komunikon me popullin, ndërsa tani, gjatë periudhës zgjedhore, kujtohet të lajmërohet për të kërkuar vota në Facebook, TikTok, apo Instagram. Por nuk mjaftojnë dy javë për të bindur qytetarët kur për katër vite nuk mund t’i gjesh askund,” tha Bajqinovci në një deklaratë publike.
Ai theksoi se Vetëvendosje ka qëndruar vazhdimisht pranë qytetarëve, duke komunikuar me ta në takime, përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve të tjera, duke dëshmuar angazhimin e përhershëm për t’i përfaqësuar ata me dinjitet.
Deklarata e Bajqinovcit vjen në një kohë kur përgatitjet për zgjedhje janë në kulmin e tyre, dhe Lëvizja Vetëvendosje po shpalos mesazhin e saj për një qeverisje më të përgjegjshme, transparente dhe të lidhur ngushtë me qytetarët.