Mefail Bajqinovci, kandidat i Vetëvendosjes: “Masakra e Reçakut – Dita që sensibilizoi botën demokratike”

Në përvjetorin e 26-të të Masakrës së Reçakut, Mefail Bajqinovci, kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, kujtoi me dhimbje dhe nderim këtë ngjarje tragjike që tronditi botën dhe shënoi një kthesë vendimtare për lirinë e Kosovës.

“Sot kujtojmë me dhimbje dhe nderim Masakrën e Reçakut, një nga krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit që u krye gjatë luftës në Kosovë. Më 15 janar 1999, 45 civilë të pafajshëm shqiptarë u masakruan nga forcat serbe. Ky akt barbar u bë simbol i vuajtjeve të popullit tonë dhe shërbeu si pikë kthese për ndërgjegjësimin e botës demokratike, duke çuar në intervenimin e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.”

Bajqinovci theksoi se kujtesa për viktimat e Reçakut duhet të mbetet e gjallë si një thirrje për drejtësi dhe për të mos harruar kurrë çmimin e lirisë.

“Lavdi të përjetshme të rënëve dhe respekt të thellë për sakrificën e tyre!” – përfundoi ai.

Masakra e Reçakut, e dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, është simbol i vuajtjes dhe rezistencës së popullit të Kosovës dhe dëshmi e domosdoshmërisë për të kërkuar drejtësi dhe për të mos lejuar kurrë përsëritjen e tmerreve të tilla.