Mefail Bajqinovci i kundërpërgjigjet Driton Selmanajt: “Sovraniteti nuk diskutohet, ai ushtrohet!”

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar ndaj kritikave të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili kishte deklaruar se shtrirja e sovranitetit në veri nuk mund të realizohet vetëm me polici. Në reagimin e tij, kandidati i VV-së thekson se faktet flasin ndryshe, duke përmendur se sot në veri ka administratë funksionale, polici, inspektorë komunalë, ATK-në dhe të gjitha inspektoratet e ministrive.

“LDK-ja ende nuk po pranon që sovraniteti në veri është shtrirë dhe vazhdon me propagandën e saj se ‘me polici nuk shtrihet sovraniteti’. Por faktet flasin ndryshe: sovraniteti nuk është vetëm prezencë fizike, por funksionalitet i institucioneve tona,” tha ai.

Ai kritikoi LDK-në për mungesë veprimi gjatë dy dekadave të fundit, duke theksuar se koordinimi me ndërkombëtarët është i rëndësishëm, por vendosshmëria për mbrojtjen e shtetit duhet të vijë nga brenda.

“Sovraniteti nuk diskutohet, ai ushtrohet!” përfundoi kandidati i VV-së, duke theksuar vendosmërinë e qeverisë aktuale për të mbrojtur dhe fuqizuar kontrollin shtetëror në të gjitha pjesët e vendit.