Mefail Bajqinovci akuzon opozitën dhe Gresa Cakën: “Dorë e zgjatur e bllokimit të reformave”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Gresa Cakës, duke e akuzuar atë si “kryepenguesen e reformave”.

Në një status të publikuar, Bajqinovci shprehu bindjen se përpjekjet e saj për të justifikuar punën në media janë të kota dhe se qytetarët tashmë janë të vetëdijshëm për rolin që ajo dhe të tjerë kanë luajtur në bllokimin e reformave.

“I gjithë vendi e di se ata ishin dhe mbeten dorë e zgjatur e opozitës,” tha Bajqinovci, duke theksuar se përpjekjet për të penguar ndryshimin tani kanë dështuar. Sipas tij, nervozizmi i shfaqur nga opozita dhe mbështetësit e saj nëpër studio televizive tregon qartë se rezultatet e sondazheve janë një pasqyrë e hidhur për ta.

“Populli ka vendosur dhe s’ka kthim mbrapa! Kosova ecën përpara me punë, reforma dhe vizion të qartë,” përfundoi deputeti, duke lënë të kuptohet se qeveria është e vendosur të vazhdojë me politikat transformuese, pavarësisht përpjekjeve për stagnim.