Vila e Milan Radoiçiqit, e cila ditë më parë është bastisur nga policia e Kosovës, ka ngritur pyetjen për ligjshmërinë e pasurisë së ish-nënkryetarit të Listës Serbe.
Dhe në këtë drejtim, mediat serbe kanë shtruar pyetjen se si fitoi kaq shumë pasuri “mbrojtësi i serbëve në veri të Kosovës” dhe a është ai një “Pablo Escobar”?
Bëhet fjalë për një vilë me luks të madh në bregun e liqenit në veri të Kosovës – pronari i së cilës është Milan Radoiçiq – siç pohon policia e Kosovës dhe askush nga pala serbe nuk e mohon.
“Është një shfaqje force, në një farë mënyre. Kjo flet vetëm për fuqinë. Krijon një imazh tjetër pushteti, paprekshmëri. E shikon çfarë vile ka, mos u ngatërro me të. Besoj shumë se ai ishte mjeshtër i jetës dhe vdekjes në veri të Kosovës”, ka thënë Millosh Laziq, gazetar i portalit Nova.rs, përcjell Telegrafi.
Dhe sipas mediumit në fjalë, Radoiçiq ishte edhe lider joformal i serbëve në veri të Kosovës, i angazhuar politikisht si nënkryetar i Listës Serbe.
Bëhet fjalë për njeriun i cili së bashku me kumbarin e tij Zvonko Veselinoviq, që nga viti 2013 është i lidhur me shumë afera të dyshimta.