Prek Kodra është vlerësuar për kohë të gjatë si armiku numër 1 i pushtetit në Kosovë, tregon një dokument ekskluziv i siguruar nga Gazeta Insajderi. Ai është vlerësuar si person që është i angazhuar për të shkaktuar tërmet në skenën politike kosovare. Nuk përmenden në raport urdhërdhënësit e tij dhe nuk ceken se janë siguruar prova, por raporti tregon se Policia e Kosovës kishte dyshuar se plani i Prek Kodrës kishte për synimin dobësimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe në të njejtën kohë fuqizmin e dy partive opozitare, PDK-së e AAK-së.
Gazeta Insajderi, ka siguruar dokumentin ekskluziv të organeve të sigurisë lidhur me dyshimet, se në vitin 2021 po përgatiteshin tri atentate – ndaj kryeministrit Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe Ismet Haxhës
Në këtë raport vlerësohet se Prek Kodra, si i dyshuar kryesor në këtë rast, me vënien në jetë të planit, ka pasur për qëllim ndryshimin e madh të skenës politike kosovare.
Lidhur me këtë situatë, ish-drejtori i Policisë së Shqipërisë ka bërë një raport informues. Këtë raport ia ka përcjellë akterëve tjerë të Policisë në Shqipëri. Në raport ceken informatat dhe dyshimet e Policisë së Kosovës lidhur me të dyshuarin.
Siç thuhet në këtë dokument të siguruar nga Gazeta Insajderi, Policia e Kosovës, ka dyshuar se qëllimi i këtyre atentateve ishte destabilizimi i Republikës së Kosovës.
“Me vrasjen e Albin Kurtit, partia VV do të dobësohet dhe PDK-ja dhe AAK-ja do të marrin udhëheqjen politike në vend dhe do të shpërbëhej Shërbimi i Sigurisë së Kosovës”, thuhet në raport.
Aty përmendet edhe koha kur planifikohej të bëheshin të tri atentatet ndaj Kurtit, Halitit e Haxhës.
“Sipas informacioneve, të tre atentatet do të ndodhin brenda 4 muajve të ardhshëm”, shkruan në raportin.
Foto: Raporti policor që ka siguruar Gazeta Insajderi
Madje përshkruhej se me çfarë armësh do të kryheshin vrasjet.
“Vrasja e Ismet Haxhës është planifikuar të kryhet me pushkë gjahu, ndërsa atentatet e tjera me snajper apo pushkë”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Insajderi.
Sipas informacioneve të organeve të sigurisë, dyshohej se sipas plainfikimeve objektivi i parë i vrasjes do të ishte Ismet Haxha.
“Objektivi i dytë është Xhavit Haliti, deputeti dhe ish-deputeti i PDK-së, i cili do të vritet një muaj pas Haxhës, për ta bërë atë të duket si hakmarrje për atentatin ndaj Haxhës”.
“Objektivi i tretë është kryeministri Albin Kurti, i cili do të vritet një muaj pas vrasjes së Halitit”, thuhej në raportin e siguruar nga Insajderi.
I dyshuari Kodra, i vetmi person që përmendet në raportin policor lidhur me dyshimet për përgatitje të atentateve ndaj Kurtit, Halitit e Haxhes, ka të kalauar kriminale.
Kodra, i lindur me 1 maj 1976, sipas raportit policorë të siguruar nga Gazeta Insajderi, ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe pushkëve. I njëjti dyshohet se është i përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi.
“Me shumë mundësi, ai jeton në Shkodër të Shqipërisë dhe operon në tre lokacione: Tropojë (Shqipëri) dhe Ferizaj dhe Deçan në Kosovë”, thuhet në dokument.
Sipas autoriteteve të Policisë Shqiptare, Kodra, është hetuar nga Sektori i Krimit në Shqipëri për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.
Ai ishte shpallur në kërkim në vitin 2016, pasi në një kontroll në shtëpinë e tij u gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë dhe një kontroll shtesë në vitin 2021, u gjetën municione luftarake.
“Në shtator të vitit 2021, urdhri i kontrollit u anulua, por ai konsiderohet një person me rrezikshmëri të lartë”, thuhet më tej në këtë raport.
Alarmi për atentate – Masat që ndërmori Policia e Kosovës
Pas alarmit që ishte ngritur nga policia shqiptare, njësiti Antiterror i Policisë së Kosovës ka ndërmarrë disa veprime hetimore. Fillimisht kanë kontrolluar të dhënat ekzistuese të policisë, por sic thuhet në raport nuk gjetën asgjë për këtë person.
Ndërsa pas verifikimit të sistemit të menaxhimit të kufirit, policia sipas këtij raporti kanë konstatuar se Prek Kodra ka shumë hyrje dhe dalje brenda dhe jashtë Kosovës.
“Regjistrimi i fundit i tij është më 03 nëntor 2021, që është një dalje nga Kosova përmes pikës kufitare të Vërmicës”, thuhet në raportin e siguruar nga Gazeta Insajderi.
Pas këtyre hetimeve, policia kishte njoftuar Drejtorin e Departamentit të Operacioneve dhe ka rekomanduar rritjen e sigurisë ndaj Kurtit, Halitit e Haxhës. Për të njoftuar më tej edhe prokurorin kujdestar të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Ata krijuan njësitë kundër terrorizmit në terren për të verifikuar këtë informacion.
“Ata kanë mundur të identifikojnë emrin e të dyshuarit (Prek Kodra), i cili është pronar i një kompanie në Shkodër “Art Mermer Kodra” dhe një numër telefoni +*****. Ky numër që shfaqet në Viber është në emër të Prek Kodrës. Adresa e tij e emailit është ******”, thuhet më tej në raportin policor që ka sigurura Gazeta Insajderi.
Për më tepër Njësiti Kundër Terrorizmit të Policisë së Kosovës, ka identifikuar 17 persona që mund të kenë lidhje me këtë person, “dhe po ndërmerr veprime shtesë në terren për identifikimin e adresës së disa personave që mund të kenë lidhje direkte apo indirekte me këtë person”, thuhet në dokument. /Gazeta Insajderi