Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, tha se Helsinki është afër marrjes së vendimit që “brenda javësh” të aplikojë për anëtarësim në NATO, në kohën e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
“Unë mendoj se do të ndodhë shumë shpejt. Brenda javësh, jo brenda muajve”, tha kryeministrja Sanna Marin para gazetarëve të mërkurën më 13 prill në Stokholm.
Homologia suedeze e kryeministres Marin, Magdalena Andersson, paralajmëroi gjithashtu një ndryshim të madh të politikës për kombin e saj, si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, duke thënë në të njëjtën konferencë për shtyp se, për shkak të situatës së sigurisë, Stokholmi po kërkon gjithashtu t’i bashkohet NATO-s.
Anëtarësimi në NATO i njërit prej këtyre shteteve – ose i të dy shteteve – do të ishte një ndryshim i madh për sigurinë e Evropës dhe një tregues se sa të tronditura janë shumë vende evropiane nga pushtimi rus.
Si Suedia, ashtu edhe Finlanda, kanë qëndruar neutrale, megjithëse në të kaluarën shpesh kanë bashkëpunuar ose kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta me NATO-n.
“Arkitektura evropiane e sigurisë ka ndryshuar rrënjësisht si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës”, tha Marin.
Shumë media suedeze raportuan më parë se Andersson dhe aleatët e saj politikë do të kërkonin zyrtarisht anëtarësimin në NATO në qershor, kur aleanca do të mbajë samitin e saj të ardhshëm.
Andersson nuk dha ndonjë koment për këtë.
Në Finlandë – shtet që ndan kufirin prej 1,340 kilometrash me Rusinë – ligjvënësit pritet të mbajnë një debat gjatë kësaj jave, pas publikimit të një raporti të qeverisë për anëtarësimin në NATO.
Edhe para pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, opinioni publik në Finlandë po zhvendosej drejt mbështetjes së anëtarësimit në NATO.
Çdo ofertë për anëtarësim duhet të pranohet nga të 30 anëtarët e NATO-s, një proces që mund të marrë katër muaj deri në një vit për t’u përfunduar.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka paralajmëruar se Rusia do të marrë masa për të “ribalancuar situatën” në rast se Finlanda do t’i bashkohet aleancës./REL