Nuk është lehtë të bëhesh deputet. Por, këtë post e synojnë hiq më pakë se 1,067 kandidat, të cilët po garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, që do të mbahen në Kosovë. Secilit i duhen mijëra vota për të zënë vend në një nga ulëset e Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 ulëse, 100 për të cilat garohet dhe 20 ulëse të cilat janë të rezervuara për komunitetet.
Fillimisht secila parti duhet ta kalojë pragun e vendosur 5% të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, për të hyrë ne Kuvend.
Ndërsa, sipas Eugen Cakollit, nga Instituti Demokratik i Kosovës, një subjekt politik i cili ka fituar më shumë mandate dhe ka pas një garë më të fuqishme brenda partisë atëherë deputetëve të kësaj partie u duhen më shumë vota për të fituar ulëse.
“Një parti politike për të fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës duhet ti sigurojë të paktën 5% të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme dhe le te themi nëse një subjekt politik ka fituar më shumë mandate dhe ka pasur garë më të madhe brenda subjektit politik atëherë automatikisht edhe deputetëve të listës në fjalë ju nevojiten më shumë vota për të fituar mandatin”, thotë Cakolli për gazetën inFokus.
Se sa ulëse do të fitojë një parti në kuvend kjo varet nga numri i pjesëmarrjeve në zgjedhje. Dhe për këtë ekziston një formulë e thjeshtë.
Pra numri i daljes përfundimtare në zgjedhje pjesëtohet me 100 dhe mësohet numri minimal i votave që duhen për të fituar një ulëse në Kuvend.
Sipas Fisnik Halimit, politolog, nëse i referohemi zgjedhjeve të kaluara, atëherë për kandidatet femra numri më i vogël i mundshëm ka qenë 6 mijë vota ndërsa për kandidatët meshkuj numri i votave duhej të kalonte mbi 7 mijë.
“Numri më i vogël për të fituar një ulëse në kuvend varet direkt prej daljes të votuesve në zgjedhje” tregon Halimi.
Sipas tij, duke qenë se një votues mund të votojë deri në 5 kandidatë, mund të ketë ndonjë ndryshim por që formula për këtë është e qartë.
“Rrjedhimisht numri i daljes ta pjesëtosh me 100 është numri i votave që duhet për një ulëse në Kuvend. Natyrisht duke pasur parasysh që ne kemi një sistem referencial të votimit ku votuesit mund të votojë deri në pesë kandidatë atëherë këto shifra edhe mund të ndryshojnë por realja është që fiton ulëse në kuvend sipas shifrës dalja e përgjithshme pjestu për 100”, shpjegon Halimi.⁷
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në zgjedhjet e parakohshme janë në garë gjithsej 1067 persona, prej tyre 343 femra dhe 724 meshkuj.
Ndërkaq, janë certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre janë 20 parti politike, 4 koalicione dhe një kandidat i pavarur”.
Bazuar në listën përfundimtare të votuesve numri i votuesve është 1,937,868, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801,800 fletëvotime, pra 136,068 apo 7.02 për qind fletëvotime më pak se votues.