Gjykata e Prishtinës i ka shpallur fajtorë babë e birë, Senad e Qëndrim Begu, të akuzuar për vrasjen e Sevdaim Sinanit si dhe tri tentim-vrasje.
Më 1 mars 2010, rreth orës 20:00, në Podujevë në rrugën “Qëndresa”, të akuzuarit dyshohet se kishin shkuar te shtëpia e tani të ndjerit Sevdaim Sinanit për të kërkuar borxhin që i ndjeri dyshohet se ua kishte këtyre.
Deri sa po lexohej shpallja e aktgjykimit nga gjykatësja Suzana Çerkini, i akuzuari Senad Begu, gjatë gjithë kohës ishte me lot në sy.
Qëndrim Begu mori dënim prej 17 vjet burgim dhe 500 euro gjobë për veprat penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje
Kurse Senad Begu, mori 9 vjet burg dhe 500 euro gjobë.
Të akuzuarit gjithashtu janë obliguar t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale si dhe paushallin gjyqësor.
Gjithashtu të njëjtëve u janë konfiskuara gjësendet që janë gjetur në vendin e ngjarjes.
Kurse pala e dëmtuar, për kërkesë pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.
Shpallja e aktgjykimin është bërë nga gjykatësja Suzana Çerkini me dy anëtaret Agim Kuçi dhe Isuf Makolli.
Ndërsa si rrethanë lehtësuese, për të akuzuarit, gjykatësja Çerkini deklaroi se do ta ketë parasysh kohën e kaluar në paraburgim, posaçërisht për të akuzuarin Senad Begu.
Sipas aktakuzës më 1 mars 2010, rreth orës 20:00, në Podujevë në rrugën “Qëndresa”, të akuzuarit kishin shkuar te shtëpia e tani të ndjerit Sevdaim Sinanit për të kërkuar borxhin që i ndjeri dyshohet se ua kishte këtyre.
Gjykata e shkallës së parë më 17 maj 2019 kishte marrë vendim me të cilin i shpalli fajtorë babë e bir për vrasjen e Sevdaim Sinanit dhe 3 tentim- vrasje.
Qëndrim Begun e dënoi me 19 vite burgim dhe 500 euro dënim me gjobë për vrasjen e rëndë të Sevdaim Sinanit dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërsa të akuzuarit Senad Begut i shqiptoi 11 vite burgim për veprat penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, vrasje e rëndë në tentativë dhe më 500 euro dënim me gjobë për armëmbajtje pa leje.
Pas këtij vendimi, mbrojtësit e të akuzuarve kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ku e njëjta mori vendim dhe rastin e ktheu në rigjykim.
Aktakuza thotë se më 1 mars 2010, rreth orës 20:00, në Podujevë në rrugën “Qëndresa”, të akuzuarit kishin shkuar te shtëpia e tani të ndjerit Sevdaim Sinanit për të kërkuar borxhin që i ndjeri ua kishte këtyre.
Tutje thuhet se pasi të akuzuarit i kanë kërkuar borxhin, i ndjeri Sevdaim Sinani së bashku me vëllanë Gëzimin dhe babain Kajtazin, kanë filluar të përleshen fizikisht, e ku më pas i akuzuari Qëndrim Begu ka marrë revolen nga babai Senad Begu dhe ka shtënë në drejtim të të ndjerit Sevdaim Sinani, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Tutje aktakuza thotë se i akuzuari Qëndrim Begu ka gjuajtur në drejtim të babit të të ndjerit Kajtaz Sinanit dhe e ka plagosur në këmbë, pastaj ka shtënë në vëllanë e viktimës, Gëzim Sinanit, duke e qëlluar në anën e djathtë të barkut dhe në byzylykun e dorës së majtë e në fund ka shtënë në nënën e viktimës Adile Sinanin duke e lënë të plagosur. Pastaj të akuzuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.