Policia njoftoi se si rezultat i hetimeve intensive dhe angazhimeve policore, sot në Pikën Kufitare Jarinje është ndaluar personi i dyshuar Dejan Pantiç, njëherit ish-pjesëtar i PK-së, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.
Policia thotë se personi i dyshuar ka qenë i përfshirë në organizimin e sulmeve në zyrat e KKZ-së dhe sulmeve ndaj personave zyrtarë të KQZ-së dhe Policisë së Kosovës.
“Me qëllim të pengimit të veprimeve policore dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personit të dyshuar, persona dhe grupe të caktuara në orët e pasdites kanë filluar të grumbullohen dhe të vendosin barrikada me automjete dhe mjete të rënda. Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, thotë policia.
Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të Pikës Kufitare Jarinje, Policia e Kosovës thotë se të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.
“Si çdo herë Policia e Kosovës, fton qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.