Mbyllet një barnatore në Pejë dhe konfiskohen barna të kontrabanduara

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike sot ka zhvilluar një operacion në rajonin e Pejës, sipas Planit Operativ të përcaktuar, ku janë kontrolluar dhjetë subjekte biznesore – barnatore për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm, se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola, dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë të kontrabanduara dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Policia njofton se ky operacion ka qenë i koordinuar së bashku me Doganën e Kosovës (Njësia e Antikontrabandës) dhe Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë, ku janë kontrolluar dhjetë barnatore, ku në gjashtë prej tyre është gjetur sasi e konsiderueshme e produkteve farmaceutike pa banderola.

– Biznesi 1, në tri njësi janë gjetur: 398 lloje të barnave pa banderola, 40 copë barna me

banderola të falsifikuara, një produkt narkotik pa licencë. Të njëjtit biznes i është lëshuar vendimi

nga inspektorati farmaceutik për mbyllje të biznesit pasi që ka qenë duke punuar pa farmacist

përgjegjës;

– Biznesi 2, në dy (2) njësi janë gjetur: 203 lloje (produkte) medicinale pa banderola;

– Biznesi 3, në një (1) njësi janë gjetur: 80 lloje (produkte) medicinale pa banderola;

Tre (3) pronarë të bizneseve-barnatoreve janë shoqëruar në Stacion Policor dhe janë intervistuar në

cilësinë e të dyshuarve lidhur me veprat penale të cekura më lartë.

Në disa barnatore janë pronarët e njëjtë të disa barnatoreve në qytetin e Pejës.

Është konfiskuar sasia e barnave pa banderola që dyshohet se janë të kontrabanduara, me procedura të

cilat do të merret më tutje njësia e Antikontrabandës nga Dogana e Kosovës, kurse Sektori për Hetimin e

Krimeve Ekonomike (SHKE-DHKEK) nga Policia e Kosovës procedon lëndën në aspektin penal pranë Prokurorisë kompetente.

Pas intervistimit personat e dyshuar me urdhër të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Pejë janë liruar në procedurë të rregullt, kurse rastet iniciohen për “Prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore” dhe “ Kontrabandim të mallrave”.