Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë njoftuar se sot në Vranisht të Dragashit janë mbyllur katër komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për shumë vite.
Krasniqi tha se këto komuna kanë qenë përgjegjëse edhe për komunën e Prizrenit, Suharekës dhe Rahovecit.
“Aktiviteti ilegal i strukturave paralele të Serbisë ka fund. Këto objekte nuk mund të ekzistojnë, funksionaliteti i tyre është në kundërshtim me ligjin”.
“Kosova ka komuna që janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve të të gjithë qytetarëve. Ky objekt sikurse edhe objektet tjera që kanë vepruar në Kosovë janë jashtë juridiksionit të Kosovës dhe si të tilla nuk kanë vend në Kosovë”, tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, Sveçla u shpreh se kriminaliteti do të luftohet në çdo cep të Kosovës, kurse sipas tij, në Kosovë s’ka vend për Serbinë, përveç ambasadës së saj në Prishtinë.
“Ashtu siç edhe jemi zotuar, në çdo cep të Kosovës do të luftohet kriminaliteti, ilegaliteti dhe cfarëdo shkelje e ligjit”.
“Në Kosovë do të ketë organe legjitime që do t’iu shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Nuk ka vend për Serbinë përveç ambasadës së saj në Prishtinë”, tha Sveçla.