Inspektorati i Tregut ka mbyllur 26 sallone të masazheve e klube natës për shkak se të njëjtit kanë ushtruar veprimtarinë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Tregtinë e Brendshme.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka bërë të ditur përmes një njoftimi se mbyllja e këtyre bizneseve rezultoi pas një inspektimi të kryer nga Inspektorati i Tregut mes datave 10-14 maj në 66 operatorë ekonomikë që ushtrojnë veprimtarinë e mirëmbajtjes trupore/sallonet e masazheve, klubet e natës/muzikë live dhe vallëzim, që operojnë në komunat:
Prishtinë, Fushë-Kosovë, Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec.
“Prej tyre 26 operatorë ekonomikë janë mbyllur përkohësisht për shkak se të njëjtit kanë ushtruar veprimtarinë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Tregtinë e Brendshme, ndaj 12 operatorëve ekonomikë janë shqiptuar gjoba ndëshkuese, për shkeljet e konstatuara të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, si dhe bazuar në Kodin Penal të Kosovës ndaj 4 operatorëve ekonomikë janë deponuar kallëzime penale për heqje apo dëmtim të vulës zyrtare” – thuhet në njoftimin e MINT-it.
Sipas MINT-it, inspektimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës/Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), dhe inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
MINT-ti thotë se inspektime të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët dhe muajt në vijim.