Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në Genova të Italisë.
Një emigrante shqiptare, Laureta Zyberi, 43 vjeçe, është gjetur e pajetë në një apartament ku pastronte. Pranë trupit të saj është gjetur i plagosur edhe bashkëshorti, gjithashtu shqiptar, Eduart Zyberi 54 vjeç.
Të dy trupat e mbuluar me gjak mbi dysheme janë gjetur nga pronari i apartamentit. Më pas ai ka lajmëruar ndihmën e shpejtë mjekësore dhe autoritetet përkatëse policore. 43-vjeçarja shqiptare humbi jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshorti i saj është në gjendje të rëndë pasi ka një plagë në stomak.
Sipas medieve italiane nga hetimet e para mendohet se krimi është kryer me armë të ftohtë. Dyshohet se ka qenë bashkëshorti autori i këtij krimi, i cili më pas ka tentuar të vetëvritet.
Nuk dihet se cili ka qenë motivi i kësaj ngjarjeje, por mendohet se burri ka dyshuar për një romancë të bashkëshortes së tij me pronarin e banesës në të cilën ishte e punësuar./Gazeta