Mbi 221 mijë bashkatdhetarë kanë arritur në Kosovë gjatë muajit korrik.
Zyra për Informimin e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”, konfirmoi se në korrik janë realizuar 1 mijë e 327 fluturime.
Gjithashtu, nga kjo zyre bënë të ditur se po në muajin korrik mbi 100 mijë udhëtarë kanë shkuar nga Kosova në vendet evropiane.
“Periudha 1 korrik – 31 korrik 2021 – Fluturime: 1,327 – Udhëtarë në ardhje: 221,729 – Udhëtarë në shkuarje: 118,477. Gjithsej ardhje-shkuarje: 340,206”, thuhet në përgjigje.
Bashkatdhetarë të shumtë kanë arritur në Kosovë edhe përmes rrugëve tokësore, ku për këtë Telegrafi ka raportuar në vazhdimësi, ku vendkalimet kufitare për gjatë kësaj kohe kanë pasur fluks të madh të veturave.
Ndryshe, bashkatdhetarët këtë vit kanë pasur më shumë lehtësime për të udhëtuar drejt Kosovës, kjo për shkak të lehtësimit të masave antiCOVID, në vendin tonë e po ashtu edhe në shtetet tjera ku ata jetojnë dhe veprojnë.
Kosova ka lehtësuar masat muaj më parë, ku nuk ka kufizim të lëvizjes, e po ashtu janë lejuar edhe ahengjet familjare, dasmat e organizime tjera.