Mbi 1500 banorë të Klinës protestojnë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos

Mbi 1500 banorë të Klinës janë duke protestuar në kundërshtim të ndërtimit të fabrikës së çimentos.

Ahmet Gashi, bashkorganizator i protestës, ka thënë se kjo çështje duhet dërguar në prokurori.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, u tha protestuesve se janë duke e përcjellë këtë proces dhe se po bashkëpunojnë me Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Bujqësisë për të gjetur zgjidhje.

Ajo tha se të hënën Qeveria do ta ketë një vendim.

“Çdo investim duhet të jetë investim që siguron të ardhmen e fëmijëve. Nuk duhet të na keqkuptojë askush. As ju si banorë as ne në Parlament nuk jemi kundër zhvillimit. Jemi për mjedis të shëndetshëm”, ka thënë ajo gjendur në mesin e protestuesve.

Në protestë ka qenë edhe deputeti i PDK-së Hisen Berisha. Ai tha se është ndalur te protestuesit për t’u treguar se janë në krah të tyre.

“Fabrika nuk mund të ndërtohet aty ku e bën vendin e pabanueshëm. E kemi çliruar me gjak, duhet ta ndërtojmë me pastërti”, tha ai.

8