Prokuroria në Pejë ka nisur grumbullimin e informatave rreth dhënies së një leje ndërtimore në Pejë. Kjo për shkak se aktualisht në komunën e Pejës janë mbi 13 mijë ndërtime pa leje.
Dhënia e lejes së ndërtimit për këtë objekti banesor në Pejë është vënë nën llupën e Prokurorisë.
Gjithë ky interesim i organit të akuzës ka ardhur pasi që rasti aty është paraqitur nga Policia, konkretisht nga Njësiti i Krimeve Ekonomike.
E këtu ka dyshime se leja ndërtimore për këtë objekt është dhënë në mënyrë të kundërligjshme.
Se po merren me këtë rast e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës.
“Lidhur me rastin në fjalë prokuroria e Pejës, departamenti për krime të rënda ka pranuar një shkresë zyrtare nga Policia, përkatësisht nga njësiti kundër krimeve ekonomike për çka prokuroria është në fazën e grumbullimit të informatave rreth këtij rasti dhe varësisht nga grumbullimi rasti do të procedohet tutje”, ka thënë Shkodran Nikci, zyrtar për informim në Prokurorin e Pejës.
Dyshime për këtë rast kanë edhe partitë opozitare në Pejë.
Madje, sipas Fisnik Ademit, që është sekretar i AAK-së në këtë qytet, kjo leje ndërtimi është dhënë pa nënshkrimin e ish Drejtorit të Urbanizmit.
“Ne kemi informata që nuk e ka nënshkruar ish drejtori i kaluar, por dyshimet tona janë që e ka nënshkruar Gazmend Muhaxhiri, ndryshe nuk kish marrë leje ai objekt. Fenomeni i ndërtimeve pa leje ka kapluar Pejën, janë mbi 13 mije ndërtime pa leje”, ka thënë Fisnik Dema, sekretari i AAK’së në Pejë.
Për këtë çështje T7 ka kontaktuar edhe me ish drejtorin Skënder Syla.
Ai përmes telefonit ka thënë se ishte tentuar që me çdo kusht me u dhënë kjo leje, por që sipas tij nuk janë respektuar procedurat.
Ndërkohë, T7 ka kontaktuar edhe me pronarin e këtij objekti Sefedin Berisha.
Ai nuk ka dashur të flasë para kamerës, veçse ia dërguar televizionit një kopje të lejes ndërtimore e ku figuron edhe nënshkrimi i ish-drejtorit e Urbanizmit, Skender Syla.
Ndërsa televizioni gjatë ditës së martë e ka pasur të pamundur të kontaktoj me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxhirin, pasi ky i fundit nuk i është përgjigjur interesimit të televizionit. Përgjigje nuk kanë dhënë as zyrtar të tjerë të komunës.
E shqetësim për ndërtimet pa leje kanë edhe organizatat joqeveritare.
“Qytetin e Pejës gjithë e ka përcjellë ky problem sidomos vitet e fundit kur kemi pas një aktakuzë për ish-drejtorin e urbanizmit”, ka thënë Naser Lajqi nga organizata Syri i Vizionit.
Sipas Lajqit në këtë qytet numri i ndërtimeve pa leje është goxha i madh./Klina info/