Procesi mësimor ka filluar sot, pas një muaji grevë nga ana e mësimdhënësve.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse Ministria e Financave do të bëjë transferimin e pagave për ata që kanë qenë pjesëmarrës në këtë grevë.
RTKlive ka kontaktuar me disa mësimdhënës të cilët kanë konfirmuar se deri më tash, në llogaritë e tyre nuk u kanë dalë pagat.
Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi ditë më parë, pas mbledhjes së Qeverisë, se do të veprohet sipas ligjit.
Mosmarrjen e pagave nga ana e mësimdhënësve, deri më tash, e kanë konfirmuar edhe nga SBASHK-u.
Asociacioni i Komunave të Kosovës, i ka dhënë afat qeverisë që të ekzekutojë pagat për punëtorët që janë në grevë deri më 5 tetor.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se nuk ka marrë ndonjë informacion nga komunat për ekzekutimin ose jot ë pagave të shtatorit.
Greva në arsim dhe administratën publike është ndërprerë sipas vendimit të Këshillit Grevist të BSPK-së, deri në janar 2023.
Kërkesat e tyre ishin për rritje të pagës për 100 euro, deri në miratim të Ligjit të Pagave, sigurimi shëndetësor dhe disa kërkesa atë tjera.