Klina, qytezë e vogël në perëndim të Kosovës, në mesin e saj ka qytetar të besimit mysliman e katolik.
Por, pavarësisht kësaj, toleranca ndërfetare është për t’u lakmuar edhe nga vendet më të zhvilluara në botë, shkruan gazeta inFokus.
Veç jetës së përbashkët e pa probleme, sot, të premten, është mbajtur edhe një ngjarje e veçantë, e që tashmë është bërë tradicionale.
Gara në futboll të vogël në mes të bashkësive fetare.
E veç Bashkësisë Islame e asaj Katolike, pjesë e garës janë edhe KFOR-i dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e kësaj komune, shkruan gazeta inFokus.
Hoxhë Blerim Musliu në një prononcim për Gazetën inFokus, ka thënë që po i japin argumente udhëheqësve shtetërorë që të krenohen me bashkëjetesën që mbretëron në Kosovë, në mbarë botën.
“Jemi të kënaqur që nëse kjo për dikënd është e paimagjinueshme, tek ne është e zakonshme. Ne jemi të kënaqur që po i japim argumente secilit qytetar edhe udhëheqësve shtetëror që të krenohen në botë me atë që ne e jetësojmë pra bashkëjetesën”, ka thënë Musliu.
Ndërsa Hashi Ibishi një nga organizatorët i ka thënë Gazetës inFokus, se turneu në fjalë mbahet tash e 15 vite, por këtë vit korrespondon me një ngarje tjetër të cilës edhe i është dedikuar.
“Ky është turnir tradicional tani e 15 vite. Këtë herë korrespondon me përvjetorin e vdekjes së dy punëtorëve të QKMF-së, Dr. Palush Prenajt dhe Dr. Sylejman Gashit. KFOR-i, këtë vit është mysafir i veçante në turne. Prijësit e dy komuniteteve tona fetare së bashku me QKMF-në në Klinë janë aktiv në këtë aktivitet sportiv përgjatë festave tona të përbashkëta për këto 15 vite”, ka deklaruar Haxhi Ibishi./Gazeta inFokus/