MBAHET KONSULTIM PUBLIK PËR RREGULLORE PËR TRANSPARENCË TË KOMUNËS SË KLINËS DHE PLANI I VEPRIMIT PËR TRANSPARENCË KOMUNALE 2025 – 2029

Komuna e Klinës, përkatësisht, Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, në sallën e Kuvendit Komunal Klinë, ka mbajtur takimin me publikun lidhur me konsultimin publik për Rregulloren për Transparencë të Komunës së Klinës dhe Planin e Veprimit për Transparencë Komunale 2025 – 2029, në ora 14:00.

Të pranishëm ishin nënkryetarja e Komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi – Selmanaj, përfaqësuese të Zyrës për Informim, përfaqësuese të OJQ-ve, anëtarë të grupit punues dhe qytetarë.

Shqyrtimi i Draft- Rregullores për Transparencë të Komunës së Klinës dhe Planit të Veprimit për Transparencë Komunale mori rekomandime të vlefshme dhe ide që synojnë përmirësimin e dokumentit.

Nënkryetarja Selmanaj theksoi se dokumentet e tilla promovojnë transparencën, duke siguruar që veprimet, vendimet dhe proceset të jenë të qarta, të arritshme dhe të kuptueshme për të gjitha palët e interesuara.

“Këto dokumente forcojnë besimin publik: Kur institucionet veprojnë hapur, qytetarët ndihen të sigurt dhe të përfshirë e cila më pas krijon një marrëdhënie të qëndrueshme mes qytetarëve dhe institucioneve.
Si dhe rrit llogaridhënien: Transparenca detyron çdo institucion të marrë përgjegjësinë për veprimet e tij. Kjo promovon edhe integritetin” – ka thënë Selmanaj.

Qytetarët dhe grupet e tjera të interesit mund të përcjellin rekomandimet dhe sugjerimet e tyre deri më datën 20.12.2024, tek;

Vlora Tafili, email: [email protected]
Samije Gjergjaj, email: [email protected]

Pas përfundimit të fazës së diskutimit publik, propozimet e juaja do të merren në konsideratë duke u shqyrtuar në raportin e konsultimit publik si dhe në seancën e radhës të Kuvendit të Komunës, konform dispozitave ligjore.