Në sallën e kuvendit Komunal Klinë është mbajtur dje konsultim publik lidhur me Draft- Strategjinë Komunale për Mbrojtje nga Dhuna në Familje (2024 – 2027) dhe Planin e Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje (2024 – 2026).
Të pranishëm ishin nënkryetarja e Komunës, znj. Marqe Tanushi Selmanaj, drejtori i Administratës, z. Binak Sylaj, zyrtarja për Barazi Gjinore, z. Vitore Shala, përfaqësuesja nga Qendra për Punë Sociale, znj. Shehrije Millaku, qytetarë etj.
Drejtori Syla para të pranishmëve prezantoi këto dy drafte të dokumente të rëndësisë së veçantë e me ç ‘rast theksoi se hartimi dhe zbatimi i Strategjisë Komunale dhe Planit të Veprimit kundër Dhunës në Familje për Komunën e Klinës, mundëson koordinimin e përpjekjeve ekzistuese të të gjitha departamenteve dhe institucioneve qeverisëse komunale dhe të organizatave joqeveritare. Qëllimi i vetëm i këtyre përpjekjeve të përbashkëta është të parandalojë dhe luftojë Dhunën në Familje si dhe të ndihmojë zhvillimin adekuat dhe mirëqenien e gjithë shoqërisë sonë. Parandalimi dhe luftimi i Dhunës në Familje kërkon angazhim të strukturave të ndryshme publike dhe private, për të diskutuar dhe zgjidhur çështjet të ndryshme si ato të arsimit, shëndetit, shërbimeve sociale, punësimit, drejtësisë, familjes, fëmijëve dhe të moshuarve, etj.
Për të gjitha palët e tjera të interesuara që të japin kontribut në këto dy dokumente, është deri më 11 prill 2024 dhe mund t’i përcjellin në formë elektronike tek [email protected] , [email protected] si dhe fizikisht në formë të shkruar tek sporteli i arkivës në komunë. Draftet i gjeni të publikuara në ueb faqen zyrtare të komunës së Klinës.