MATEMATIKË QË NUK MËSOHET NË SHKOLLË

Ti nuk je imi,
as i vetes sate,
ishulli im,
po e gërryen veten dhe mua.

Kurse për shtetin
dhe për përrallën
se askush s’është mbi ligjin
flasim në ndonjë pasdarke tjetër
të netëve të gjata të dimrit.

Dhe për demokracinë,
për këtë thjeshtër të komunizmit.

Kemi kohë mjaft
(step by step,
avash-avash).

EMIGRIMI I NDËRGJEGJES

Ndërgjegjja ka emigruar qëmoti
(ajo s’është zog shtegtar, më s’ kthehet),
ndërsa mbi ta
kemi hedhur mjaft gurë
e shumë hekurbeton,
nuk zgjohen dot.

SILUETAT E LIRISË

Ajo në zanafillë
ka formën e siluetës
nga e cila ikin njerëzit.

Për shembull,
ka formën e plisave të bardhë
që skuqin mëngjesin dhe detin
në Tivar.

Pastaj, po,
mësues i burgosur disa herë,
ajo bëhet,
mësues i sëmurë
nga i cili nuk ikin nxënësit,
por kolegët.

Liria nganjëherë bëhet demonstratë e studentëve
që nuk shpërndahet nga ushtria e huaj
as nga mbledhjet e prindërve të partisë në fshat e në qytet
për t’i shpallur armiq vajzat e veta dhe djemtë.