Hatim Berisha dhe Zaim Domazeti dyshohet se për disa muaj arritën të përfitonin rreth 5 mijë euro duke i mashtruar qytetarët kinse për pajisje me viza pune në Gjermani e Kroaci. Ata shfrytëzuan biznesin e tyre të quajtur “Timi & Zaimi” në Prizren, përmes të cilit dyshohen se kanë mashtruar së paku 12 qytetarë. Dy të dyshuarit kanë qenë në paraburgim për një muaj, masë kjo që u është vazhduar.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, i cili ka njoftuar se masa e paraburgimi dy të dyshuarve u është vazhduar edhe për dy muaj të tjerë.
“Gjykata Themelore në Prizren me datë 18.02.2022, ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 2 (dy) Muaj ndaj të pandehurve H.B. dhe Z.D., ashtu që kjo masë mund të zgjasë deri më datë 19.04.2022, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mashtrimi nga neni 323 par. 1 lidhur me nenin 77 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Paraprakisht me datë 16.02.2022, Prokurori i Shtetit kishte propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.”
Në përgjigjen e Lekajt thuhet se ende nuk janë dëgjuar të dyshuarit, as të gjithë dëshmitarët. Deri më tani, lidhur për këtë rast janë identifikuar edhe shtatë të dëmtuar të tjerë.
“Gjyqtari i rastit ka vlerësuar se kjo kërkesë është e bazuar, pasi që prokurori i shtetit ka ndërmarrë veprimet e arsyeshme hetimore në këtë çështje penale, por për shkak të kompleksitetit të kësaj çështje, ende nuk janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët dhe të dëmtuarit e këtij rasti e po ashtu nuk janë dëgjuar as të pandehurit. Më konkretisht, prokurori i shtetit gjatë fazës hetimore ka dëgjuar tre dëshmitarë, gjashtë të dëmtuar, një pjesë e materialit- shkresave të lëndës është siguruar dhe janë identifikuar edhe shtatë të dëmtuar tjerë të cilët nuk janë dëgjuar.
Nga të lartcekurat, gjyqtari ka vlerësuar se me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku se të njëjtit do të ipen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, mund të dëmotojnë procedurën hetimore, dhe se me lënien në liri të njëjtit mund të përsërisin veprën penale për të cilën dyshohen, andaj vazhdimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.”
Ndryshe, Sinjali pati raportuar ekskluzivisht për këtë rast. Berisha dhe Domazeti dyshohen se i kanë mashtruar të paktën 12 qytetarë (emra të njohur për redaksinë) që kanë rënë viktimë e agjencisë së punësimit “Timi & Zaimi”.
Sipas gjykatës, të njëjtit “me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material personave tjerë, i mashtrojnë apo vazhdojnë lajthimin e personave tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit që të njëjtit të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që të pandehurit me qëllim të përfitimit pasuror në vitin 2020 krijojnë biznesin “Timi & Zaimi” SH.P.K., si agjenci punësimi, kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit, me ç’ rast secilit veç e veç i shkaktojnë dëm material ndërsa për vete në mënyrë të kundërligjshme përfitojnë dobi pasurore.”
Dy të dyshuarit janë hetuar nga muaji qershor i vitit 2021 lidhur me këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.