Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit L.G., për shkak të veprës penale “Mashtrimi” (në vazhdimësi), nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, dhe nenin 31 dhe 77 të KPRK-së, i cili gjendet në ndalim nga data 31 tetor 2022, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i lartcekur, nga muaji gusht i vitit 2020 e në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete me anë të premtimit të rrejshëm se paratë e investuara në kripto valuta do t’iu kthehen të dëmtuarve së bashku me fitimin e tyre, ka marrë shuma të ndryshme të parave nga të dëmtuarit, dhe atë në shumën rreth 500.000.00 €.
Vlen të ceket se në këtë çështje penale, Prokurori i Shtetit ka aplikuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, me ç’ rast më 12 tetor 2022, ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar të përfshirë në rastin e njëjtë dhe ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tyre, nën të cilën masë ndodhen aktualisht.
Prokurori i çështjes në koordinim me policinë janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë rast.