Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit i ka ftuar të gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nga nesër, (e hënë, 5 shtator), t’i kthehen punës, duke filluar vitin e ri shkollor.
“Duke e marrë me seriozitet obligimin tonë për realizimin e plotë të së drejtës për arsim, por edhe përmirësimin e kushteve dhe kompensimin e mesimdhënësve, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira, që të rishikojnë dhe balancojnë interesat dhe t’i kthehen që nesër procesit mësimor”, ka thënë MASHTI.
Sipas kësaj ministrie, në kushte të tilla, pezullimi i mëtutjeshëm i procesit mësimor paraqet shqetësim serioz dhe veprim me pasoja afatgjate për nxënësit e të gjitha grupmoshave.
“Humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MAShTI-n dhe për gjithë shoqërinë”, ka njoftuar MAShTI.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për inflacionin e lartë të shkaktuar nga faktorë që janë jashtë ndikimit tonë, tashmë ka ndarë një shtesë prej 50 eurosh në muaj për të gjithë zyrtarët publikë dhe besojmë se kjo është në kufijtë e mundësive aktuale në republikën tonë”.
MASHTI tha se kanë indikacione se individë të caktuar nga hierarkitë politike apo të qeverisjes locale, janë duke ushtruar presion të fuqishëm te mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave për të mos e filluar puna.
“Kërkojmë nga të gjithë që të mos ndërhyjnë në vendimin e mësuesve. E drejta për të qenë në grevë, ose për të punuar, duhet t’i garantohet secilit. Për më shumë, ky presion është edhe i dënueshëm sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në njoftimin e MAShTI-t.
Ministria e Arsimit tha se do të vlerësonin lart në këtë moment përfshirjen e mekanizmave kompetentë, autoriteteve publike, gjyqësore, Avokatit të Popullit, OShC-ve, që në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave të veta të dalin me qendrime të qarta, propozime dhe rekomandime për balancimin e drejtë në mes të drejtave të palëve të përfshira në çështje, gjithnjë duke marrë parasysh rëndësinë e së drejtës në arsim që perfshinë rreth 320 mijë nxënës.