MARRËVESHJE BASHKËFINANCIMI ME MAPL-në PËR NDËRTIMIN E TROTUARIT DHE RREGULLIMIN E NDRIÇIMIT PUBLIK NË SHTUPEL DHE ASFALTIMIN E RRUGËVE NË BUDISALC

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, ka takuar ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, me të cilin kanë nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi ndërmjet komunës së Klinës dhe MAPL-së për ndërtimin e trotuarit dhe rregullimin e ndriçimit publik në Shtupel dhe asfaltimin e rrugëve në Budisalc.

Shuma totale e projektit është 102 000 euro, nga të cilat 60 000 euro janë ndarë nga MAPL, ndërsa komuna e Klinës në këtë projekt do të investojë 42 000 euro.

“Rregullimi i trotuarit dhe ndriçimit publik në Shtupel është një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të këtij fshati, që shumë shpejt do të realizohet dhe njëkohësisht do të rritet siguria për këmbësorët e veçanërisht për nxënësit.

Falënderoj ministrin Krasniqi për mbështetjen në realizimin e këtij projekti dhe për bashkëpunimin e mirë ndërinstitucional, që si rezultat ka rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Klinës.” – ka thënë Elezaj.