Kohëve të fundit ka pasur shumë raste kur policët e trafikut janë përballur me qytetarët të cilët janë gjobitur për kundërvajtje në trafik. Duke mos i pranuar dënimet si pasojë e shkeljeve të tyre, ata shpesh nuk i kanë kursyer as kërcënimet, ofendimet e sharjet në drejtim të zyrtarëve policorë,
Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në lagjen Drenica të Klinës, ku dy motra i ka zënë sherri me Policinë, pasi njëra prej tyre u ndalua për t’u ndëshkuar për kundërvajtje. Në momentin që patrulla e Policisë ndaloi veturën që shkeli rregullat, aty pranë shkoi motra e qytetares që u gjobit, duke penguar zyrtarët policorë.
Ajo po dyshohet se ka kërkuar sqarime nga Policia për dënimin ndaj motrës së saj, duke iu thënë se “është marrë me dënu një femër”, teksa ka vazhduar me fyerje ndaj policëve.
Për ta vënën në kontroll situatën, Policia e ka urdhëruar që e dyshuara të kthehet në veturën e saj, por ajo dyshohet se ka vazhduar me fyerje dhe ka refuzuar t’i prezantojë dokumentet e identifikimit.
Kjo ka bërë që Policia ta shoqërojë të njëjtën në stacion policor dhe me urdhër të Prokurorit të iniciohet rast ndaj saj për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.