MAPL VLERËSON QË LVV I TAKON NJË ANËTAR NË KPF
Në seancën e rregullt, të fundit për vitin 2022 si pikë e rendit të ditës ishte Riformatizimi i Komitetit për Politikë dhe Financa.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal z. Fadil Gashi theksoi që pasi nuk është arritur një konsensus mes grupeve kuvendare do të të duhet të veprohet sipas udhëzimit administrativ bazuar në përqindjen e ulëseve të marrura, në bazë të ÇERTIFIKIMIT nga KQZ-ja, edhe pse në dy seancat paraprake pati potencuar që bazuar në udhëzimin administrativ, konkretisht nenin 5, paragrafi 2, subjekti ynë me 0.78% përfaqësohet me një anëtar në KPF, mirëpo përkundër kësaj në seancën e kaluar është bazuar në mirë(mos)kuptimin e grupit kuvendar të AAK-së, si pasojë e plotësimit të numrit të anëtarëve të KPF-së.
Me këtë arsyetim është vendosur që ne si subjekt të mos jemi pjesë e KPF-së.
Pas vendimit të Kuvendit ne kemi adresuar ankesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, për mohimin e të drejtës për përfaqësim të elektoratit tonë në KPF.
Bazuar në ankesën tonë dhe kërkesën për rishqyrtim të Kuvendit, MAPL e ka shqyrtuar me efikasitet vendimin 01 Nr.06-42820 për riformatizimin e përbërjes së KPF-së, të miratuar me datë: 20.12.2022 dhe ka vlerësuar se akti i komunës nuk është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.
Përkundër vendimit të qartë të MAPL-së, si organ më i lartë administrativ, partia në pushtet së bashku me kryesuesin nuk u pajtuan me këtë vendim duke shfaqur konfuzitet dhe “hendikep” se si të ftohen anëtarët e KPF-së, për më tepër kryesuesi kërkon “bamirësi” nga GK i AAK-së që të liroj një vend në KPF, grup i cili ishte përfaqësuar me dy anëtarë deri më tani në KPF.
Dhe vazhdon duke theksuar që MAPL është në lajthitje dhe se po na kushtëzojnë performancën e Kuvendit për fitimin e grantit.
I bëjmë thirrje kryesuesit, si jurist që është, që për një performancë të lartë e produktive të bazohet më shumë në legjislacionin në fuqi e jo në mirëkuptime, bamirësi e logjik.
Sepse Kuvendi i Komunës si organ më i lartë në komunë, i cili zgjedhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga qytetarët duhet të funksionoj në pajtim me ligjin për zgjedhjet lokale dhe të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës kanë të drejta të barabarta dhe mundësi për të marrë pjesë në proceset e Kuvendit, prandaj detyrë e Kuvendit/ kryesuesit është që të kujdeset që këto të drejta të mos cenohen.
Bashkangjitur e gjeni vendimin e MAPL-së, sipas të cilit në KPF një (1) anëtar i takon entitetit politik nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
6