Gjakovë – Rojtari i pyllit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës (APK), zyra në Malishevë, Hashim Krasniqi e ka pranuar fajësinë se mori 30 euro ryshfet nga Murat Buzhala. Edhe ky i fundit e ka pranuar fajësinë se ka dhënë ryshfet rojtarit Krasniqi për ta lejuar prerjen ilegale të druve në pyllin e Llozicës.
Pranimi i fajësisë nga Kransniqi dhe Buzhala është bërë të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj dy të akuzuarve, të cilët akuzohen për marrje dhe dhënie të ryshfetit në dhjetor të 2019-ës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Hashim Krasniqi pas konsultimeve me mbrojtësin e tij avokatin Teki Bokshi, tha se e pranon fajësinë për veprën për të cilën po ngarkohet. Ai ka thënë se është penduar dhe se në të ardhmen nuk do të kryejë veprime të tilla.
Edhe i akuzuari Murat Buzhala e pranoi fajësinë për veprën penale të dhënies së ryshfetit për të cilën edhe po akuzohet, duke shtuar se është penduar thellësisht, dhe se në të ardhmen nuk do të kryej veprime të tilla
Pas kësaj, prokurorja e rastit, Dëshire Jusaj e mbështeti pranimin e fajësisë të bërë nga dy të akuzuarit, duke shtuar se ky pranim fajësie ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 27 shkurt nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, i pandehuri Murat Buzhala po akuzohet që në vitin 2019 i ofron para, rojtarit të pyllit, Hashim Krasniqi. Ngarkohen se ishin marrë vesh mes vete që Buzhala të vazhdojë prerjen e druve në Llozicë të Malishevës, duke ia dhënë Krasniqit 30 euro që mos të shënojë në procesverbal. Me këtë Buzhala akuzohet për dhënie ryshfeti ndërsa rojtari Krasniqi për veprën penale marrje ryshfeti nga neni 421 par.1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi