Kryetari i Malishevës, Ragib Begaj ka thënë se nga 73 personat të infektuar me koronavirus 55 prej tyre janë shëruar. Sipas Begajt gjendja e të infektuarve është e mirë.
I pari i Malishevës ka theksuar se për momentin kanë furnizime të mjaftueshme, por gjatë javës së ardhshme presin që të kenë furnizime të tjera.
“Dita ditës po luajnë gjërat, kemi pasur disa furnizime. Nuk e kemi keq Shtëpinë e Shëndetit. Shikojmë gjatë javës që vjen besoj pritet me na furnizu”, ka thënë Begaj për Gazetën Sinjali. Sipas tij, gjendja në komunën e Malishevës është në përmirësim e sipër.
“Numri po lëvizë, janë shtuar edhe tre megjithatë 55 janë të shëruar. Gjendja në përmirësim e sipër krahasuar se si ka keq më parë. Gjendja e të infektuarve është e mirë, stabile është. As njëri nga ta nuk është keq. Nuk është as një në rrezik për jetë sipas informative që i kemi”, ka thënë ai.
Në Kosovë deri më tani janë 731 persona të infektuar me koronavirus, prej tyre 165 janë shëruar dhe 20 kanë vdekur.