Konfliktet mes anëtarëve të familjes në qytetet e ndryshme të vendit, shpesh herë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje shpesh herë eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet.
Në një sherr janë futur edhe anëtarët e familjes Morina në fshatin Astazup të Malishevës, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tij.
Sinjali mëson se në rast është përfshirë edhe djali i vogël i familjes, i cili i ka dalë në ndihmë babait të tij dhe bashkë kanë rrahur 35-vjeçarin, të cilin e ka bërë për spital me anë të goditjeve.
Për shkak të lëndimeve që mori nga sulmi fizik, viktima ka marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë babain dhe djalin 22-vjeçar, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
54-vjeçari i është nënshtruar edhe testit të alkoolit, ku ka rezultuar se ndodhet nën ndikim të alkoolit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.