Pikat kufitare tashmë kanë nisur të “vlojnë” nga kolonat e gjata të makinave ku mërgimtarët po ia mësyjnë vendlindjes së tyre.
Kosova, përgjatë dy muajve të verës, mirëpret bashkëatdhetarët, të cilët përherë sjellin begati duke i dhënë edhe më shumë kuptim ditëve të nxehta me diell.
Një gjest mjaftë të mirë ka bërë Komuna e Malishevës, teksa përmes një njoftimi bën të ditur se që nga sot deri më 15 gusht parkingun e këtij objekti mund ta shfrytëzojnë mërgimtarët, përcjellë Indeksonline.
“Të dashur bashkatdhetarë që këtë verë jeni me pushime në vendlindje, prej sot e deri më 15 gusht, oborri i Komunës së Malishevës është në dizpocionin tuaj, dhe të gjithë ju që keni nevojë për shërbime në komunë, veturat mund ti parkoni pranë objektit të komunës.
Mirëserdhët bashkatdhetar”, shkruhet në njoftim
Po ashtu edhe Komuna e Suharekës që nga sot e ka parkingun në dispozicion të bashkëatdhetarë. Këtë e ka bërë të ditur kryetari Bali Muharremaj përmes një postimi.
“Nga sot, e deri më 16.08.2019, parkingu në oborrin e objektit të Komunës së Suharekës, është i hapur për mërgimtarët tanë.
Kjo mundësi u krijohet për qasje sa më të lehtë, në kryerjen e shërbimeve administrative.
Duke ju shprehur mirëseardhje, shpresojmë të kaloni pushime të mbara në atdheun tuaj.Ne jemi në shërbimin tuaj !”, ka shkruar ai.