Mali i Zi ka publikuar të dhënat e plota të pacientëve me koronavirus në faqet e saj zyrtare. Po ashtu, qeveria po përditëson vazhdimisht në mënyrë publike të dhënat e atyre personave që duhet të jenë të izoluar.
“Policia nuk mund të kontrollojë çdo qytetar që duhet të jetë në izolim. Duke marrë parasysh që cilido që largohet nga izolimi kërcënon tërë komunitetin, ne vendosëm t’i publikojmë emrat e tyre”, u shprehën zyrtarët publikë.
Lidhur me ligjshmërinë e publikimit të detajeve personale dhe informacionit mjekësor, autoritetet thanë që kishin marrë miratimin nga Agjencia malazeze për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Pothuajse të gjitha ligjet e vendeve si dhe udhëzimeve ndërkombëtare përcaktojnë që informacioni mjekësor i pacientit duhet të mbahet privat dhe nuk lejohet të shpërndahet ose të bëhet publik pa lejen e pacientëve.
Për më tepër, publikimi i emrave dhe adresave të qytetarëve pa lejen e tyre është një shkelje e së drejtës së tyre për privatësi. Kjo është gjithashtu një e drejtë themelore e njeriut, e parashikuar në ligjin ndërkombëtar dhe evropian.