Qytetarët e Kosovës nuk mund të shkojnë në Mal të Zi, pa prezantuar para autoriteteve, një test negativ për koronavirus. Ky vendim i Qeverisë malazeze, ka hyrë në fuqi mesnatën e 21 qershorit. Testi negativ për koronavirus, nuk duhet të jetë më i vjetër se 48 orë. Por, autoritetet malazeze po dyshojnë se shumë kosovarë kanë hyrë në territorin e tyre me teste faso të COVID-19.
Burimet e IndeksOnline kanë treguar se Mali i Zi po shqyrton mundësinë të kërkojë testet nga Kosova për të gjithë ata qytetarë kosovarë që janë evidentuar kur kanë hyrë në territorin malazez me dyshimet se mund të jenë flaso të prezantuara.
Përveç shtetasve të Kosovës, që duhet të prezantojnë një test negativ për koronavirus para autoriteteve malazeze, të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe shtetasit e Shqipërisë dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës.
Nga shtetet e rajonit, shtetasit e Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriut e kanë të ndaluar hyrjen në Mal të Zi
Së fundi edhe Kosova ka vendosur të kërkojë teste për të gjithë shtetasit e Malit të Zi që hyjnë në territorin e Republikës e Kosovës.
“Gjithmonë në funksion të masave për parandalimin dhe luftimin e infeksionit me COVID-19, Qeveria e Kosovës ka aprovuar edhe vendimin me të cilin obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Bosnje e Hercegovinës, që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19, me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Ndryshe hyrja në Mal të Zi pa kufizime mundësohet për ato shtete të cilat plotësojnë kushtet e duhura epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik, përkatësisht kanë deri në 25 të infektuar në 100,000 banorë./