Macron: Franca dhe aleatët janë të bashkuar për Ukrainën

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca dhe aleatët e saj janë pajtuar se të drejtat e Ukrainës dhe shqetësimet për sigurinë evropiane duhet të merren parasysh në çdo marrëveshje të mundshme për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Qëndrimi i Francës dhe i aleatëve të saj është i qartë dhe i bashkuar. Ne dëshirojmë paqe në Ukrainë që do të ishte e qëndrueshme”, tha Macron përmes një postimi në X, pasi u takua me udhëheqësit e 19 shteteve, përfshirë të Kanadasë. Në takim, shumica nga ta morën pjesë përmes video-lidhjes.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka befasuar Bashkimin Evropian, duke thënë se është gati të rinisë diplomacinë me presidentin rus, Vladimir Putin, tre vjet pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës.

SHBA-ja dhe Rusia veçse kanë mbajtur një takim në Riad më 18 shkurt, në të cilin nuk u ftua Kievi, e as Evropa.

Macron mbajti një takim të ri për Ukrainën të mërkurën pasdite, në përpjekje për të koordinuar përgjigjen evropiane për atë që ai e ka cilësuar si “kërcënim ekzistencial” nga Rusia, pas ndryshimit të papritur të politikës amerikane.

“Ne qëndrojmë me Ukrainën dhe do të vazhdojmë të kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona për të ofruar paqe dhe siguri në Evropë”, tha Macron pas video-konferencës.

Por, ai tha se pjesëmarrësit – ku bënin pjesë krerët e shteteve apo qeverive të BE-së, por edhe të Islandës dhe Norvegjisë – theksuan se Ukraina duhet të përfshihet dhe “të drejtat e saj duhet të respektohen” në këtë proces.

Ata thanë se kërkohen “garanci të forta dhe të besueshme” në mënyrë që të sigurohet një marrëveshje e qëndrueshme” dhe se “shqetësimet për sigurinë evropiane”, duhet të merren parasysh.