Lul Raka flet për variantin e ri të COVID-19: Vaksinohuni menjëherë

Mikrobiologu Lul Raka, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka dhënë informacione për variantin e ri të COVID-19, variantin Omikron.

Raka ka thënë se varianti Omicron ka një numër jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve krahasuar me variantet e mëparme – mbi 30 mutacione vetëm në proteinën xhembore. Këto proteina sipas tij janë çelës i virusit për të hyrë në qelizat e trupit tonë dhe njëkohësisht janë shënjestra kryesore e përgatitjes së vaksinave kundër COVID-19.

Si të ndaloni dhimbjet e kyçeve krejtesisht? Përdore çdo mëngjes
Me këtë rast, ai i ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen menjëherë e të mbrohen nga ky virus.

Shkrimi i tij i plotë:

VARIANTI I RI I KORONAVIRUSIT

ÇKA ËSHTË OMIKRONI?

Ndryshimet gjenetike janë dukuri normale në biologjinë e viruseve. Viruset, sa më shumë që kanë mundësinë të shumëzohen, aq më të mëdha do t’i kenë gjasat për të pësuar mutacione dhe për të krijuar variante të reja të tyre.

Në mesin e këtij muaji, në Bocuanë dhe Afrikën e Jugut u zbulua një variant i ri i koronavirusit, të cilin OBSH e emërtoi Omicron (ose varianti B.1.1.529). Ky variant u bë dominues në Afrikën e Jugut për një periudhë të shkurtër kohore.

PSE KA KRIJUAR SHQETËSIM ?

Varianti Omicron ka një numër jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve krahasuar me variantet e mëparme – mbi 30 mutacione vetëm në proteinën xhembore. Këto proteina janë çelës i virusit për të hyrë në qelizat e trupit tonë dhe njëkohësisht janë shënjestra kryesore e përgatitjes së vaksinave kundër COVID-19.

Ndryshimet e tilla masive të virusit kanë ngritur shqetësime se sa mund të ndikojnë ato në përhapje, pasqyrën klinike dhe uljen e efikasitetit të vaksinave përmes mbrojtjes nga antitrupat. Megjithatë, në mbrojtjen ndaj virusit ndikim të rëndësishëm ka edhe imuniteti qelizor.

Varianti i ri ka nxjerrë në pah tri pyetje që kërkojnë përgjigje shumë të shpejtë:

– Sa është i transmetueshëm varianti i ri? A përhapet më shpejt sesa varianti delta?

– A ka pasqyrë më të rëndë klinike?

– A janë antitrupat pas vaksinimit efikas dhe sa është rreziku i reinfektimit?

Aktualisht, nuk kemi përgjigje të sakta për këto pyetje dhe ato kërkojnë të presim së paku edhe 2-3 javë.

ÇKA DUHET TË BËJMË?

VAKSINOHU! – Kushdo që nuk është vaksinuar ende, duhet të vaksinohet menjëherë. Duke u vaksinuar do të merrni linjën e parë të mbrojtjes kritike ndaj virusit dhe do të rritet imuniteti në popullatë. Rritja e sasive të përgjithshme të antitrupave (pas dozave të dyta dhe të treta përforcuese) mund të kompensojë mospërputhjen eventuale ndërmjet vaksinës dhe virusit.

DOZAT PËRFORCUESE TË VAKSINAVE! – Të fillohet sa më shpejt me dhënien e dozave përforcuese në Kosovë, duke filluar prej grupeve më të rrezikuara.

ZBATONI MASAT- PA PANIKË!- Reagimi në panikë do ta përkeqësojë gjendjen edhe tek popullata edhe tek vendimmarrësit.

Populli duhet t’i ZBATOJË masat parandaluese (distancimi social, mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura, shmangia e qëndrimit në ambiente të mbipopulluara, ajrosja e mjediseve të qendrimit ditor dhe larja e duarve).

Kurse vendimmarrësit duhet të fuqizojnë INSPEKTIMET e zbatimit të masave parandaluese dhe vendimeve në terren (përfshirë hyrjet në kufi), sidomos gjatë këtij muaji me festat e fundvitit.

NË NIVELIN GLOBAL, duhet t’u dërgohen vaksina atyre shteteve që kanë më së shumti nevojë.

Kompanitë që kanë prodhuar ARN-vaksina, brenda 2-3 muajsh mund të kenë variante të reja të vaksinave të drejtuara specifikisht kundër varianit të ri Omikron/