Republika e Kosovës rrezikon të humb qindra miliona euro në Arbitrazh. Nga viti i kaluar, Kosova është paditur nga shtatë kompani. Për vlerën e këtyre padive dhe përgatitjet që po bën shteti për t’i fituar këto raste, kanë dhënë detaje nga Ministria e Drejtësisë.
Kosova do të përballet me shtatë kompani vendore e ndërkombëtare gjatë vitit të ardhshëm në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit. Në rast të mos përfaqësimit të duhur në këto raste, Shteti mund të humb rreth 320 milionë euro.
Në Ministrinë e Drejtësisë i kanë thënë Gazetës Express se kompania e fundit që ka dorëzuar padi është “Contour Global”, e cila është tërhequr nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”.
Kompani të tjera të cilat kanë ushtruar padi janë edhe Mabco, Fox Marble, Victory, Ethos, IuteCredit dhe Devolli.
Për rastet në fjalë, nga MD’ja thonë se janë trajtuar proceduralisht nga Avokatura Shtetërore, derisa kanë dhënë detaje edhe për vlerën e secilës padi veç e veç.
Padia më e “rëndë” është ajo e komapnisë Fox Marble. Kjo kompani po i kërkon shtetit 190 milionë euro.
(Për) Fox Marble vetëm se kemi pranuar njoftimin nga Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtarë dhe nuk ka pasur as një kërkesë tjetër nga Tribunali, vlera e kërkuar me padi është 190 milion €, mirëpo gjatë analizimit të dokumentacionit kemi vrejtur se , ky dokumentacion duhet të trajtohet nga Prokuroria e Shtetit, ku AVSH ka iniciuar kallëzim penal për këtë rast dhe deri më tani nuk kemi as një njoftim nga pala paditëse apo Tribunali”, kanë deklaruar nga MD’ja.
Goxha para mund t’i humbin shtetit edhe nga padia e kompanisë “Victory”.
Shuma e parave që po kërkon kjo kompani është 55 milionë euro.
“Për rastin Victory është duke u përfaqësuar nga zyra ligjore Squire Patton Boggs, me një kosto prej 1.1 milion € ndërsa vlera e kërkuar me padi është 55 milion €”, thonë nga ministria.
Miliona euro mund t’i humb vendi edhe në rastin e padisë së IuteCredit dhe Devolli.
Vlera e padive të këtyre dy kompanive sillet rreth 45 milionë euro.
“IuteCredit dhe Devolli, për të dyja këto raste nga Avokatura Shtetërore është dorëzuar përgjigja në padi në Tribunal dhe tani jemi në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së kompanive të cilat do të përfaqësojnë Republikën e Kosovës në Arbitrazh, vlera e kërkuar me padi nga IuteCredit është 35 milion €, ndërsa Devolli 15 milion €”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë drejtuar Expressit.
Në mesin e kompanive që kanë dorëzuar padi ndaj Kosovës është edhe kompania e ish-Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.
“MABCO Constructions”, e ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me rastin e Hotel Grandit, të cilin Pacolli e kishte blerë, por që më pas i ishte anuluar ky privatizim.
Për rastin Mabco, Republikën e Kosovës është duke e përfaqësuar kompania e përzgjedhur Ëagner, me një kosto prej 500 mijë €, ndërsa vlera e kërkuar me padi është 6 milion €”, deklarojnë nga Ministria.
E fundit kompani që e ka paditur shtetin në Tribunalin e Arbitrazhit Ndëkombëtar është edhe “Contour Global”, e cila po kërkon dëmshpërblim në vlerë 20 milionë euro.
Sa i përket rastit Contour Global Njoftimin nga Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtarë e kemi pranuar me 19.11.2020. vlera e kërkuar me padi është 20 milion €, për këtë rast jemi në fazën fillestare- komunikimeve me palët e paditura dhe akter tjerë të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë procedurë, sipas padisë së paditësit”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë.
Ndërkohë, për padinë e kompanisë Ethtos, thonë se është zgjidhur me marrëveshje në mes të KEK’ut dhe kompanisë në fjalë.
Ndryshe, Kosova, vitin e kaluar ia doli të fitojë një rast aspak të lehtë në Tribunalin e Arbitrazhit. Në fakt ishte padia më e madhe që i ishte bërë shtetit nga kompania gjermane AXOS për rastin e privatizimit të dështuar të Telekomit të Kosovës.
Kjo kompani në padinë ndaj Kosovës kishte kërkuar hiq më pak se 380 milionë euro dëmshpërblim me pretendimet se në mënyrë të paligjshme i ishte mohuar e drejta në privatizimin e Telekomit të Kosovës.
Por, kishte qenë pala mbrojtëse e Kosovës, e cila e kishte dëshmuar të kundërtën dhe falë tyre shteti ka arritur të shpëtoj nga ky ndëshkim multi milionësh.
Rrjedhimisht, Kosova nuk i humbi 380 milionë por i fitoj afër 2 milionë euro me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës së Arbitrazhit.